Një ortek bore ka rënë në Turqi duke lënë të vdekur disa persona.
Të paktën 21 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë ngujuar pasi një ortek u shemb në një faqe mali në Turqi, njoftuan zyrtarët e këtij vendi.
Rreth 300 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit ndodheshin në vendin e ngjarjes, afër kufirit me Iranin, të cilët po merreshin me shpëtimin e njerëzve që ishin goditur nga një ortek tjetër, ku vdiqën pesë persona.
Besohet se më shumë se 50 persona janë bllokuar në vetura në këtë zonë pas ortekut të së mërkurës.
Ekipet e shpëtimit deri më tash i kanë shpëtuar 25 persona, ndërsa shumë prej tyre janë dërguar në spital, shkruan “BBC”, transmeton express.
Sipas gazetës turke, Hurriyet, guvernatori i provincës Van ka thënë se në mesin e viktimave janë tetë policë, tri roje, një zjarrfikës dhe nëntë civilë.
Operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është duke vazhduar. Në këtë operacion u bashkuan edhe ushtarët dhe banorët lokalë. Sidoqoftë, përpjekjet e tyre po pengohen nga moti me borë dhe mjegull.