Një ortek i borës është larguar nga Qendra e Skijimit në Brezovicë.
Ekipet e Kërkim-Shpëtimit dhe Çminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar me sukses misionin për largimin e ortekëve të borës në Brezovicë, në një lartësi mbidetare mbi 2 mijë e 230 metra dhe në mot të keq.
Ata shkatërruan ortekun e parë me eksploziv, i cili paraqiste rrezik të madh për krijimin e një orteku edhe më të madh dhe shumë të rrezikshëm për qytetarët.
Për shkak të motit të vështirë dhe erërave të forta deri në 60km/h, operacioni është dashur të ndërpritet, për të vazhduar më 4 shkurt, me ç‘rast është larguar edhe orteku i dytë.
“Sipas vlerësimeve për momentin nuk ka rrezik potencial për lëvizje të ortekëve, mirëpo duke u bazuar në kushtet atmosferike, të cilat mbretërojnë në këtë pjesë mund të krijohen ortekë të cilët mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet në komunikatën e FSK-së drejtuar mediave.
Ndryshe, si pasojë e rënies së ortekut të borës në Brezovicë, para dy javësh humbi jetën zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci.