OSBE: Procesi i certifikimit është një hap procedurial thelbësor dhe nuk duhet të ndikohet nga politika

22:08 | 23 December 2024
osbe:-procesi-i-certifikimit-eshte-nje-hap-procedurial-thelbesor-dhe-nuk-duhet-te-ndikohet-nga-politika

Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet parlamentare të planifikuara më 9 shkurt.

Në një deklaratë, OSBE-ja theksoi rolin kyç të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në promovimin e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion ka marrë ndër vite.

Megjithatë, Misioni shprehu shqetësim për vendimin e KQZ-së për të mos certifikuar Listën Serbe.

“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë i lirë nga konsideratat politike,” thuhet në reagimin e OSBE-së.

OSBE  u bëri thirrje autoriteteve të KQZ-së që të ruajnë integritetin e procesit zgjedhor, duke siguruar që veprimet e ardhshme të jenë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet demokratike.

Komento: