OSBE publikon udhëzime për të ndihmuar zbatimin e ligjit të ri për rininë dhe themelimin e Këshillave Rinorë në Kosovë

13:55 | 03 Prill 2026
osbe-publikon-udhezime-per-te-ndihmuar-zbatimin-e-ligjit-te-ri-per-rinine-dhe-themelimin-e-keshillave-rinore-ne-kosove

Për të mbështetur zbatimin e kornizës së re ligjore për rininë, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka lansuar dy publikime të ndërlidhura, Dokumentin për Avokim “Nga Qëllimi në Ndikim – Zbatimi i Ligjit të ri për Rininë” dhe Doracakun “Themelimi dhe Menaxhimi i Këshillave Rinorë”.

Këto publikime ofrojnë rekomandime mbi politikat dhe mjete praktike për t’u ndihmuar institucioneve dhe të rinjve ta zbatojnë në praktikë Ligjin e ri për Rininë dhe Rregulloren për Këshillat Rinorë, që përbëjnë një kornizë të re për pjesëmarrje të rinisë në nivel qendror dhe komunal.

Mbi bazën e hulumtimeve, konsultimeve me palë interesi, dhe aktiviteteve informuese në 26 komuna, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka identifikuar disa sfida në zbatim, përfshirë mangësi në koordinim gjatë tranzicionit nga strukturat e mëhershme rinore, nivel të ulët ndërgjegjësimi te të rinjtë, mekanizma të paqartë financimi, pengesa për përfshirjen e të rinjve të margjinalizuar, dhe shqetësime të lidhura me qëndrueshmërinë e angazhimit vullnetar.

Rekomandimet kryesore për institucionet janë:

Forcimi i koordinimit ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Agjencisë për Zhvillimin e Rinisë, komunave, këshillave rinorë dhe shoqërisë civile;

Fillimi i zbatimit të programeve të strukturuara të trajnimit dhe mentorimit për ngritje të kapaciteteve të këshillave rinorë;

Sigurimi i transparencës dhe gjithëpërfshirjes në proceset e përzgjedhjes, veçanërisht për të rinjtë nga radhët e komuniteteve joshumicë dhe për personat me aftësi të kufizuara.

“Këto dy publikime, të përgatitura si pjesë e mbështetjes më të gjerë të Misionit të OSBE-së për forcimin e qeverisjes demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ndihmojnë që korniza e re të përkthehet në pjesëmarrje kuptimplote të rinisë në vendimmarrje,” tha Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Doracaku shoqërues ofron udhëzime hap pas hapi për themelimin e Këshillave Rinorë dhe i përkthen dispozitat ligjore në instrumente, modele dhe shembuj të qasshëm që të ndihmojnë përfaqësuesit rinorë, autoritetet komunale dhe institucionet qeveritare në zbatimin e kornizës së re në mënyrë transparente dhe konsistente.

Gjatë këtij viti, Agjencia për Zhvillimin e Rinisë, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, do ta prezantojë doracakun në aktivitete promovuese nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Dokumenti për Avokim dhe Doracaku janë në dispozicion këtu: https://omik.osce.org/sq/mission-kosovo/662578

Komento: