
Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar me 89 vota pro një vendim të rëndësishëm për angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision ndërkombëtar në Gaza, në kuadër të Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF).
Sipas Osmanit, ky vendim përfaqëson një hap historik dhe dëshmi të unitetit shtetëror, duke theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe përgjegjësisë globale. Ajo ka kujtuar se ky angazhim lidhet edhe me zotimin e nënshkruar më 19 shkurt me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
“Ky hap është vazhdim i përkushtimit tonë për paqe, siguri dhe përgjegjësi globale, në përputhje me zotimin që kam nënshkruar më 19 shkurt me Presidentin Trump dhe me partnerët e tjerë. Sot, FSK-ja qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë, duke dëshmuar se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësi të barabarta në mbrojtje të paqes”, shkroi Osmani
Osmani ka theksuar se përfshirja e FSK-së në këtë mision e vendos Kosovën krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, duke rritur besueshmërinë ndërkombëtare të vendit dhe duke forcuar subjektivitetin e tij në arenën globale.
Presidentja gjithashtu ka bërë thirrje për ratifikimin urgjent dhe unanim të marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin e Paqes”, një mekanizëm që synon koordinimin politik të këtij misioni ushtarak dhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Në këtë frymë uniteti dhe përgjegjësie, u bëj thirrje të gjithëve që, me urgjencë dhe në mënyrë unanime, të ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si një mekanizëm i domosdoshëm politik për koordinimin e këtij misioni ushtarak, i cili po ashtu forcon sigurinë shtetërore dhe orientimin euroatlantik, garanton sovranitetin, siguron përfaqësim të barabartë dhe krijon mundësi për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e njohjeve të reja”, tha ish kryetarja e Kosovës.
Ajo ka shtuar se ky angazhim pritet të ndikojë në rritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe të afrojë Kosovën më pranë synimit strategjik për anëtarësim në NATO.
Në fund, Osmani ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen dhe besimin ndaj Kosovës, duke theksuar se vendi mbetet i përkushtuar për të kontribuar në paqen globale me dinjitet dhe profesionalizëm.