Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet me ambasadorë të vendeve të ndryshme të BE-së, të akredituar në Kosovë.
Sot, ajo takoi edhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, atë të Italisë dhe të Sllovenisë. Me ta, Presidentja Osmani diskutoi për raportet ndërshtetërore, në mënyrë të veçantë për përkrahjen nga këto vende për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Me ambasadorët e këtyre vendeve, Presidentja diskutoi posaçërisht për zhvillimet politike të cilat kanë rrjedhë pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Osmani i falënderoi shtetet mike, Gjermaninë, Italinë dhe Slloveninë për përkrahjen e vazhdueshme që ato ia kanë dhënë Kosovës në procese të ndryshme. Sipas Presidentes Osmani, është shumë e rëndësishme që kjo përkrahje të vazhdojë edhe tani, kur Kosova pret që të përmbyllet procesi shumë i rëndësishëm i krijimit të mundësive për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, proces i cili e prek drejtpërsëdrejti jetën e tyre.
Osmani theksoi se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh edhe rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën, meqë shteti ynë i ka plotësuar të gjitha kriteret.
“Po kaq e rëndësishme”, theksoi Presidentja Osmani, “është që të mos lejohet në asnjë mënyrë që të vendosen kritere shtesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse kjo do të ndikonte në mohimin e një të drejte të qytetarëve tanë dhe do ta lëndonte kredibilitetin e BE-së”.
Presidentja shprehu besimin e saj që kërkesat teknike, lidhur me ETIAS, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Presidentja Osmani ka kërkuar, po kështu, edhe përkrahjen e mëtejme të këtyre vendeve për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Presidentes, anëtarësimi në këtë organizatë është shumë i rëndësishëm për qytetarët e vendit, ngase u jep atyre mundësi që t’i mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe e ndihmon vendin që t’i avancojë më tej të drejtat e njeriut.
Në ditët e ardhshme Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të shteteve të tjera, për t’i diskutuar me ta këto procese shumë të rëndësishme për qytetarët e vendit tonë.