Osmani e Hoti u koordinuan për largimin e shefit të AKI-së

16:29 | 17 Dhjetor 2020

Vjosa Osmani dhe Avdullah Hoti u koordinuan për largimin e shefit të AKI-së.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe u.d. së presidentit të vendit, Vjosa Osmani, kanë pasur koordinim dhe dakordim të plotë për lirimin nga detyra të drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi.

Madje, u.d. së presidentit ka kërkuar nga kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së, këtë informacion e ka konfirmuar kabineti i Osmanit.

“Ka pasur koordinim dhe dakordim të plotë ndërmjet u.d. Presidentes, dr. Vjosa Osmani dhe kryeministrit Hoti sa i përket lirimit nga detyra të drejtorit të AKI-së. U.d. Presidentja ka kërkuar nga kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së, mbi bazën e profesionalizmit, paanësisë politike dhe integritetit”, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për Media i u.d. së presidentit.

Sipas Ligjit për Agjencinë e Inteligjencës 03/L 063, shkarkimi i shefit të AKI-së bëhet në koordinim mes presidentit të vendit dhe kryeministrit.

Edhe emërimi bëhet përmes procedurës së njëjtë. Një gjë e tillë specifikohet në pikën 5.3 dhe pikën 5.4.

“5.3 Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

5.4 Drejtori i AKI-se shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar”, thuhet në Ligjin për AKI-në.

Ndryshe, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot i ka kërkuar shefit të Inteligjencës kosovare, Kreshnik Gashi, që të lirojë pozitën e tij.

“Sot, kam kërkuar nga z. Kreshnik Gashi, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI)”, ka shkruar Hoti në profilin e tij zyrtar.

Ndërsa, për shkarkimin nuk është prononcuar akoma Kreshnik Gashi.

Kreshnik Gashi është emëruar drejtor i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë nga presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, më 25 nëntor 2019. Para se të emërohej në këtë pozitë ai ka mbajtur pozita të larta institucionale dhe menaxheriale në sektorin publik.

Komento: