Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme në Senatin Amerikan, Bob Menendez për organizmin e një seance dëgjimore ku kanë folur dy zyrtarët e lartë të shtetit amerikan, Chollet dhe Escobar ku u diskutua edhe për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Sipas Osmanit nga kjo seancë dëgjimore është hedhur dritë mbi zhvillimet e fundit në rajon.
“Një falenderim nga zemra për Senatorin Menendez për lidershipin e tij, angazhimin e palodhur dhe angazhimin e palëkundur ndaj demokracisë në Ballkanin Perëndimor. Mirënjohës për iniciativën e tij për seancën e sotme të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, e cila hodhi një dritë vendimtare mbi zhvillimet në rajon”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Menendez në fjalën e tij në seancën dëgjimore të në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë për temën “Vlerësimi i Politikave të ShBA-ve ndaj Ballkanit Perëndimor” tha se ka një presion mbi Kosovën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ndërsa nuk ka presion mbi Serbinë.
Ai po ashtu tha se në procesin e dialogut Serbia nuk është duke vepruar në shërbim të ndërtimit të mirëbesimit.
Tutje, Menendez tha se Vuçiq “një gjë po e thotë para popullit serb dhe tjetër gjë po thotë para ndërkombëtarëve.”
Menendez gjithashtu ka përmendur edhe artikullin e New York Times që flet për lidhjet e Vuçiqit me krimin në Serbi.