
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka theksuar se Kosova është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane, transmeton FrontOnline.
Osmani para studentëve në Universitetin Drake deklaroi se “Kosova nuk po sulmon askënd, por po sulmohet”.
Duke folur për ngjarjet në Banjskë, ajo ka akuzuar Serbinë dhe ka theksuar se policia e Kosovës ka vepruar në mënyrë profesionale.
“Nëse ne në fillim nuk do të kishim qenë kaq efektivë, padyshim që ata do të kishin qenë efektiv në afrimin e Veriut të Kosovës dhe aneksimin e pjesëve të territorit tonë. Natyrisht, atëherë do të detyroheshim të përgjigjenim, gjë që do të destabilizonte jo vetëm Kosovën, por edhe pjesën tjetër të rajonit. Ishte një plan që do të destabilizonte të gjithë Ballkanin Perëndimor. Fatkeqësisht, Serbia e dëshiron këtë. Ata duan të marrin territor nga fqinjët e tyre, të shkaktojnë më shumë vuajtje dhe luftë, ndërsa Kosova dëshiron paqe”, tha Osmani.
Ajo theksoi se përfshirja më e madhe e NATO-s do të rrisë nivelin e sigurisë në vijën kufitare me Serbinë.
“Kosova është rezultati dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane. Ne jemi të lirë, të pavarur dhe demokratikë për shkak të investimeve të SHBA-së në vendin tonë”, tha Osmani, duke shtuar se “sulmet” e presidentit rus Vladimir Putin ndaj Kosovës në fakt janë sulme ndaj SHBA-ve./FrontOnline/