Osmani kryediplomatit italian: Po bëhen përpjekje të gjendet zgjidhje e pranueshme për targat

20:08 | 22 November 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se institucionet e Kosovës janë në koordinim me aleatët dhe po bëjnë përpjekje intensive për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e targave brenda afatit 48-orësh.

Këtë deklarim, Osmani e bëri në një takim që pati me zëvendëskryeministrin, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani dhe ministrin e mbrojtjes Guido Crosetto.

Sipas komunikatës së ZRPK’së, Osmani tha se Serbia po përpiqet që nëpërmjet strukturave ilegale në veri të vendit ta destabilizojë Kosovën.

“Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Në këtë kontekst, ka potencuar se për sukses të procesit të dialogut, nevojitet trajtim i barabartë i palëve të përfshira.

Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se procesi i dialogut nuk duhet lejuar të përdoret si instrument i Serbisë për ta minuar rrugën euroatlantike të Kosovës”.

Nga zv.kryministri italian Tajani, Presidentja Osmani ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave, sikurse edhe për anëtarësimin ne Këshillin e Evropës. Presidentja Osmani ka vlerësuar kontributin e Italisë në kuadër të KFOR-it dhe ka theksuar nevojën për shtimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.

Komento: