Presidentja Vjosa Osmani sot 26 vjet pas ka kujtuar Masakrën e Izbicës, një nga masakrat më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve nga forcat serbe.
“Në Masakrën e Izbicës, më mesin e 147 të vrarëve, ishte edhe Dafina Qelaj, vetëm 6 muajshe! Ajo nuk mundi të thoshte asnjë fjalë. Nuk e pati mundësinë të mësonte apo të ecte. U vra mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në masakrën e Izbicës, më 28 mars 1999, së bashku burra, gra, të moshuar e fëmijë, vetëm pse ishin shqiptarë”, tha Osmani.
“26 vjet më pas, kujtesa për këtë krim mbetet e gjallë. Masakra e Izbicës është dëshmi e dhimbshme e çmimit të lirisë sonë dhe e gjenocidit të kryer nga Serbia. Në tentim për t`i fshehur gjurmët e krimit, regjimi gjenocidal i Serbisë i varrosi viktimat në varrezë masive në Petrovo Sello në Beograd, në Novolan dhe në Bistricë”.
Por, e vërteta, thotë Osmani, nuk mund të varroset.
“Ajo jeton në kujtesën tonë, në betejën për drejtësi dhe në të drejtën e patjetërsueshme për të mos heshtur kurrë. Lavdi viktimave të Izbicës! Drejtësi për ta!”.