Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur bindjen se Kosova mund të zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Megjithatë, ajo thekson se deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete për këtë çështje.
“Ky është qëndrimi im personal, jo domosdoshmërisht i institucioneve të tjera. E kam thënë se kjo lidhet me mënyrën se si kemi vepruar në vitet 2007-2008. Kur Serbia nuk zbatonte marrëveshjet, ne kishim marrëveshje me partnerët dhe aleatët tanë. Edhe pse Kosova e zbatoi pakon e Ahtisarit në mënyrë të njëanshme, përfituam pavarësinë, njohjet dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thotë shefja e shtetit.
“Nëse partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që të ulemi dhe të lidhim zbatimin e marrëveshjeve me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kjo do të ishte një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga komuniteti ndërkombëtar për këtë çështje” tha Osmani, për Kosova Press.
Ajo gjithashtu theksoi se Serbia nuk mund të veprojë sikur nuk ka asnjë detyrim dhe se nuk mund të kërkohet vetëm nga Kosova zbatimi i marrëveshjeve. Tha se prara se të dërgohet drafti i statutit në Gjykatën Kushtetuese, duhet të miratohet si një akt juridik nga Qeveria.
“Pa një akt të tillë, askush nuk mund ta dërgojë draftin e statutit në Gjykatën Kushtetuese. Procedurat janë të qarta dhe Gjykata e ka sqaruar procedurën” theksoi Osmani.