Osmani në 24 vjetorin e çlirimit: Ushtarët e NATO-s ia dhanë vulën çlirimit të vendit tonë

12:10 | 12 June 2023

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në çlirimin e Kosovës.

“Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, ku shteti ynë u çlirua pas një lufte e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm. Në mëngjes ne sot nderuam vizionarët e shtetit tonë, nderuam dëshmorët e shtetit tonë, nderuam ata që i vënë themelet e forta të shtetit që e gëzojmë sot dhe tani këtu nderojmë ushtarët e NATO-s ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën çlirimit të vendit tonë”, tha presidentja.

Ajo ka shprehur mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve për ish-presidentin Ibrahim Rugova, komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jemi mirënjohës përherë dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për vizionarët e shtetit për Presidentin Rugova, për të gjithë ata që dhanë gjithçka për tu vunë këto themelore, për komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarët e UCK-së që vunë jetën e tyre në rrezik, që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë”, tha Osmani.

Ajo ka falënderuar edhe miqtë ndërkombëtar që sipas saj, ndihmuan popullin e Kosovës për të fituar lirinë, pavarësinë dhe demokracinë.

“Mirënjohje e përjashtme për miqtë tanë të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet të cilën e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovë”, ka thënë Osmani.

Komento: