Osmani në ShBA takohet me Chollet dhe Escobar, ja çka biseduan

09:08 | 21 September 2022

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani po qëndron për një vizitë në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të organizimit tradicional të asamblesë së OKB-së.

Osmani ka bërë të ditur se atje është takuar me këshilltarin special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet si dhe të dërguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar.

Osmani ka thënë se Chollet dhe Escobar, kanë diskutuar për integrimin euroatlantik të Kosovës, i cili sipas Osmani është një domosdoshmëri për stabilitet të qëndrueshëm.

Presidentja ka përmendur edhe dialogun me Serbinë duke shprehur falënderim për mbështetjen amerikane në këtë proces.

“Falënderim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre aktiv në mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi”, ka shkruar ajo në një postim në llogarinë e saj në Twitter.

Gjatë ditës së djeshme Osmani po ashtu ka kërkuar përmbyllje “urgjente” të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo këtë e ka bërë gjatë takimit me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili zhvilloi takim në New York me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në takim, Osmani tha se ka potencuar edhe përkushtimin e Kosovës për “paqe e stabilitet dhe për rrugën euroatlantike”.

“Sot në takimin e organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor potencova përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet dhe për rrugën e saj euroatlantike, kërkova përmbyllje urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Komento: