Osmani: Nëse s’e zbaton Serbia, zbatimi i pjesës sonë të marrëveshjes vetëm në shkëmbim të anëtarësimit në NATO

10:38 | 21 November 2024
osmani:-nese-s’e-zbaton-serbia,-zbatimi-i-pjeses-sone-te-marreveshjes-vetem-ne-shkembim-te-anetaresimit-ne-nato

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse Serbia s’e kryen pjesën e saj për zbatim të marrëveshjes atëherë si alternativë do të duhej të ishte diskutimi me aleatët për zbatimin e pjesës së saj “vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare”.

Ajo ka shpjeguar qëndrimin e saj mbi këtë çështje.

“Ajo çfarë kam thënë është që 1. zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe 2. Si alternativë, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes (gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan), atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë nëpërmjet BSA-së, si dhe mbështetje për njohje të reja. Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”.

Ajo tha se “dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE-ja, fatkeqësisht ka qenë komplet i pabalansuar me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm të Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetë-reflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund të bëhen gjërat më mirë”./Express/

 

Komento: