Osmani: Nuk ka kushte për tu mbajtur seanca, ftojë deputetët që të votojnë kundër rrëzimit të Qeverisë

17:25 | 24 Mars 2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se mes respektimit të procedurave për organizmin e seancave dhe interesit të shëndetit të publikut, ajo gjithmonë do të zgjedhë të dytën.

Po ashtu, ajo tha se do të votojë kundër mocionit. Ka ftuar edhe të tjerët të votojnë kundër këtij mocioni.

“Nuk e përkrahi këtë mocion dhe i bëjë thirrje që të gjithë deputetëve që të mos ta përkrahin këtë mocion. Një qeveri e re teknike nuk mund ta përfshijë në vetvete postin e kryetares së Kuvendit”.

Ajo ka folur edhe për kushtet që ofron salla ku pritet të mbahet seanca për rrëzimin e Qeverisë.

“Shpreh shqetësimin tim të thellë për shëndetin e qytetarëve, i falënderoj të gjithë institucionet e Kosovës, ju bëj thirrje qytetarëve që t’i përmbahen të gjitha rekomandimeve që rrezikun nga pandemia ta kalojnë”, ka thënë Osmani, teksa ka sqaruar se për çka e ka kontaktuar institutin.

“Unë kam komunikuar me Institutin Kombëtar, jo për të kërkuar leje po për të kërkuar nga ky institut që të dinim se cilët hapa duhet të merren për të siguruar mbarëvajtjen në kuadër të rregullave. Kemi kërkuar që të dimë se në tubime të tilla cilat janë kushtet të cilat duhet të plotësohen. Instituti ka rekomanduar që të sigurohet dezinfektimi sallës, kontrolli mjekësor dhe mbi të gjitha distanca fizike prej së paku dy metrash. Unë kam kërkuar nga administrata që të përgjigjet nëse salla i plotëson kushtet për një takim të tillë dhe përgjigja e administratës ka qenë që salla nuk i plotëson këto kushte”, ka thënë ajo.

Komento: