Osmani: Nuk mund të bllokohet shteti për një nënkryetar, përderisa kryeparlamentari është zgjedhur e kryesia ka kuorum

13:11 | 09 Shtator 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se tashmë ka dorëzuar në Kushtetuese komentet në lidhje me konstituimin e Kuvendit, pas vendosjes së masës së përkohshme nga kjo Gjykatë.

Osmani tha se komentet e dorëzuara ka argumentuar se përderisa Kuvendi ka zgjedhur kryetarin dhe Kryesia ka kuorum, puna e këtij institucioni nuk mund të bllokohet.

E para e shtetit në një konferencë për media tha se bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari të vetëm, përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyrë serioze funksionalitetin institucional, por edhe vlerat në të cilat është themeluar Republika e Kosovës.

Osmani argumentoi se ulësja e nënkryetarit sërish i mbetet komunitetit serb dhe askush nuk mund ta zë.

“Sot i kam paraqitur komentet në Kushtetuese. Në këtë dokument kemi argumentuar se funksionimi efektiv i institucioneve të Kosovë, në këtë rast në veçanti të Kuvendit, nëpërmjet përfaqësuesve të popullit është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues.

Në kushtet kur bllokohet konsituimi i Kuvendit për një nënkryetar të vetëm, përkundër faktit që kryesia ka kuorum të mjaftueshëm dhe deputetët kanë kryer edhe betimin, në ato momente pamundësohet përfaqësimi i qytetarëve në institucionin më lartë përfaqësues, e rrjedhimisht edhe ushtrimi i sovranitetit. Mbrojtja e sovranitetit me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë lidhet me vetë Kuvendin si bartës. Bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari të vetëm, përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyrë serioze funksionalitetin institucional, por edhe vlerat në të cilat është themeluar Republika jonë. Republika e Kosovës ka sistemin më të avancuar në tërë kontinentin evropian për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, por këto të drejta nuk mund të abuzohen në një mënyrë që të shkelin edhe vetë qëllimin e tyre. Thelbi i komenteve që kemi dërguar sot bazohet edhe në nenin 57 të Kushtetutës, i cili parasheh se janë dy parakushte që të realizohen të drejtat e komuniteteve: detyrimi për të vepruar në përputhje me ligjet e Kosovës, gjë të cilën Lista Serbe besoj se nuk ka nevojë për komentim, nuk e bën, dhe detyrimi i dytë që nga ushtrimi i të drejtave të garantuar të komuniteteve, të mos shkelen të drejtat e të tjerëve.

Po synohet që për një nënkryetar, të bllokohet shteti në tërësi. Është detyrim i secilit prej nesh që ta bllokojmë çdo synim për ta arritur synimin e dështimit të Republikës. Qëndrimi ynë është se përderisa kryesia e Kuvendit ka kuorum, përderisa Kuvendi ka zgjedhur kryetar në përputhje me Kushtetutën. Kuvendi si institucion nuk mund të bllokohet”, tha Osmani në një konferencë për media./

Komento: