Osmani pas njohjes nga Bahamas: Ditë historike për Kosovën, po hapen kapituj të rinj bashkëpunimi

20:49 | 19 Dhjetor 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për media së bashku me kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, pas vendimit të këtij shteti për ta njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment historik për vendin.

Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për njohjen, duke theksuar se ajo përfaqëson fillimin e një partneriteti të rëndësishëm mes dy vendeve.

“Për ne kjo është një ditë me rëndësi historike. Jemi një komb që ka kaluar shumë sakrifica ndër breza për të arritur deri këtu. Njohja nga Bahamas dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike është fillimi i një partneriteti të madh”, deklaroi presidentja.

Ajo theksoi se Kosova do të jetë gjithmonë mike, partnere dhe aleate e Bahamas, duke ftuar zyrtarisht kryeministrin Davis për një vizitë zyrtare në Kosovë, veçanërisht me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë.

“Do të ishte nder për ne t’ju mirëpresim në Republikën e Kosovës. Në popullin tonë do të keni gjithmonë mbështetje, si në ditë gëzimi ashtu edhe në kohë të vështira”, u shpreh Osmani.

Në përmbyllje, presidentja tha se njohja e Kosovës nga Bahamas do të hapë shumë kapituj bashkëpunimi në fusha të ndryshme dhe se Kosova mezi pret forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Komento: