Osmani: Kosova është e përkushtuar për paqe dhe siguri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe Evropë.
Osmani ka përsëritur përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe dhe siguri, duke nënvizuar se Kosova vazhdon të jetë në vijë të njëjtë me partnerët ndërkombëtar për këto çështje.
Presidentja ka falënderuar Peach për angazhimin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, gjersa ka shprehur vendosmërinë që të vazhdohet koordinimi me Mbretërinë e Bashkuar si një nga aleatët kryesor dhe historik të Republikës së Kosovës.