
Deputetja e LDK-së dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës.
Osmani ka thënë se Sejdiu meriton falënderim, jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi procesin.
“Bekim Sejdiu meriton falënderim. Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, Kosova ka humbur një mundësi për të dëshmuar se mund të ndërtojë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet.
“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka thënë se mënyra se si një person sillet kur vihet në sprovë mbetet, pavarësisht përfundimit të një procesi politik.
“Dhe ndonjëherë, edhe kur një përpjekje politike nuk përfundon me sukses, ajo lë pas diçka më të rëndësishme: një dëshmi të karakterit”, ka shkruar Osmani.
Në fund, ajo e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar.
“Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka përfunduar Osmani.