
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur në emisionin e mëngjesit në BBC se pse vendosi t’i bashkohej Bordit të Paqes, e para e shtetit përmendi luftën e Kosovës 26 vite më parë, ndërsa theksoi se vendi ynë e di si arrihet dhe ruhet paqja.
Presidentja Osmani theksoi se në kohën e luftës ishte ShBA-ja ajo që mobilizoi botën për të ndihmuar Kosovën.
“Ka shumë arsye, por le të kthehem pak pas në kohë, 26 vite më parë, Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Po kryhej gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Dhe nën udhëheqjen e SHBA-së, natyrisht me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike anembanë botës, jetët tona u shpëtuan. Na u dha një mundësi për paqe. Na u dha një mundësi të jetonim të lirë. Dhe sot jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur. Dhe më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e ekzistencës së kombit tonë që nuk e kanë njohur luftën dhe që po e shijojnë paqen.
Ne e dimë se si arrihet paqja, dhe ajo arrihet përmes veprimit. Në atë kohë, unë isha një fëmijë lufte, që rritej nën granata. Dhe si të gjithë të brezit tim, jetët tona ishin në rrezik. Por çështja është se atëherë ajo që po dëgjonim ishin rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishin letra. Ishin fjalë, por zero veprim, derisa SHBA-ja erdhi dhe mobilizoi botën për të na ardhur në ndihmë.
Pra, arsyeja e parë është dallimi mes ndërtimit të paqes dhe ruajtjes së paqes. Ne kemi nevojë për një organizatë të fuqishme ndërkombëtare që përfshihet në ndërtimin e paqes dhe në arritjen e paqes. Pastaj, sigurisht, OKB-ja do të përfshihej në ruajtjen e paqes, gjë që e bën më së miri, dhe e ka bërë këtë përmes mbështetjes së shumë kombeve këtu në Kosovë për 10 vjet”, tha Osmani
Kosova nuk është anëtare e OKB-së apo e Bashkimit Evropian për momentin, siç e përmendët sepse Rusia e bllokon. Në këtë bord të paqes ju mund të uleni pranë Vladimir Putinit. A ndiheni rehat me këtë?
“Ne kemi tentuar të bëhemi anëtarë të Kombeve të Bashkuara për një kohë shumë të gjatë dhe Rusia na ka bllokuar sepse ka veto. Në këtë organizatë, Rusia nuk ka veto. Në këtë organizatë, Republika e Kosovës, vendi im, është ftuar të jetë anëtare themeluese, një shtet anëtar i barabartë.
Por është një bord paqeje, dhe Presidenti Putin po zhvillon një luftë. Të gjitha vendet që po e kritikojnë këtë janë ulur pranë Putinit në Kombet e Bashkuara. Si ju duket kjo? Ata janë gjithashtu ulur pranë Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje. Veçanërisht Mbretëria e Bashkuar është gjithashtu ulur pranë Rusisë si një nga P5-shja. Pra, unë do të thosha se është më mirë të jesh në një organizatë ndërkombëtare ku Rusia nuk ka të drejtë vetoje, nuk mund ta bllokojë paqen në botë, sesa në një organizatë ku ata e kanë bllokuar paqen dhe ku kanë shkaktuar luftëra dhe kaq shumë shkatërrim, jo vetëm për popullin e Ukrainës, por edhe duke mbështetur një proksi të Rusisë këtu në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani për BBC.