Osmani për takimin me Macron e Scholz: I bëra të qarta vijat e kuqe, do të diskutojmë shpejt me ekipet e tyre

22:52 | 06 October 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur konferencë për media pas samitit të Pragës, ku tregoi për takimin që pati me presidentin francez, Emanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Osmani tha se në këtë takim tregoi se kanë biseduar edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë, ku tha se ua ka bërë të qartë për vijat e kuqe të Kosovës.

“Pastaj kemi diskutuar edhe për dialogun. Franca dhe Gjermania në nivelet më të larta janë duke bërë përpjekje për intensifikimin e dialogut, por si përfaqësueses e Kosovës kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, kushtetutshmërisë e vendit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, pra mos të lejojmë zgjidhje që më shumë shkaktojnë probleme se sa paqe e stabilitet në rajon. Ekipet e tyre shumë shpejt do të ulen sërish bashkë me ne për të biseduar për këto cka diskutuam sot”, tha presidentja Osmani.

Po ashtu, presidentja Osmani tha se në këtë takim e shtroi edhe çështjen për ngritjen e liberalizimit të vizave për Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Në të gjitha takimet që kam pasur në mbi 25 takime, të gjithë e kanë potencuar se sa shumë I vlerësojnë reformat që Kosova i ka marrë gjatë këtij 1 viti e gjysmë, sidomos për shtetet skeptike që kanë qenë më herët sa i përket vizave kjo ka qenë çështja determinuese në vendimet e tyre.

(Takimi me Macron dhe Scholz)Në radhë të parë kam ngritur çështjen për liberalizimin e vizave dhe së dyti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ajo.

Komento: