Osmani: Përkushtimi për themelimin e Asociacionit u dha edhe me Marrëveshjen Bazë

10:55 | 27 Mars 2024
osmani:-perkushtimi-per-themelimin-e-asociacionit-u-dha-edhe-me-marreveshjen-baze

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ka thënë se Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e tij nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013.

Ajo ka thënë se ky përkushtim është përsëritur edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023.

Në lidhje me letrën drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, e para e vendit ka deklaruar se kërkesë e saj ka qenë që në këtë letër të përfshihet një pjesë ku çdo detyrim i Republikës së Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën kushtetuese teksa ka shtuar se zotimi për Asociacionin “nuk është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike të vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës”.

“Mos të harrojmë që për themelimin e tij është dhënë përkushtimi i plotë më 2013 nëpërmjet ratifikimit, por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, atë bazike të 27 shkurtit 2023. Nuk është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike së vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës dhe siç e dini të gjithë përfshin edhe detyrimin për themelimin e Asociacionit. Kërkesë e imja ka qenë në letër që të përfshihet një pjesë ku çdo detyrim i Republikës së Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën kushtetuese, ligjet e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Kushtetueses. Kjo është korniza jonë, nuk dalim kurrsesi jashtë saj”, ka deklaruar Osmani.

E pyetur nga gazetarët pas konferencës së organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Arkansasit, për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë se a do të jetë krijimi i Asociacionit kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Osmani tha se paragrafi i 11 i raportit e qartëson se njëri prej detyrimeve pas anëtarësimit në KiE është Asociacioni, por që sipas saj, një gjë e tillë nuk parashihet në këtë fazë.

“Interpretimet që jep zonja Bakojanis dhe interpretimet që japin deputetë individualë janë interpretime të tyre, mirëpo në qoftë se e shohim lerën e saj në veçanti paragrafi 11 i raportit e qartëson se kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve post anëtarësimit. Pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”, ka vijuar Osmani.

Komento: