Osmani: Prapa bllokadave në pikat kufitare me Kosovën, qëndron shteti serb

16:57 | 07 Shtator 2024
osmani:-prapa-bllokadave-ne-pikat-kufitare-me-kosoven,-qendron-shteti-serb

Presidentja, Vjosa Osmani pas zbulimit të shtatores së Ibrahim Rugovës në Podujevë ka folur edhe për protestat e serbëve në pikat kufitare që lidhin Kosovën e Serbinë, ku tha se prapa bllokadave në pikat kufitare me Kosovën, qëndron shteti serb.

“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada”, ka thënë Osmani.

Presidentja i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dalë me qëndrim publik për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë.

“I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, ka shtuar presidentja.

Komento: