Osmani: Rënia e numrit të studentëve në UP lidhet me nepotizmin dhe rehatimin e militantëve në pozita akademike

10:38 | 06 January 2025
osmani:-renia-e-numrit-te-studenteve-ne-up-lidhet-me-nepotizmin-dhe-rehatimin-e-militanteve-ne-pozita-akademike


Në këtë kontekst, edhe eksperti i njohur i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, e thekson se rënia e interesit për Universitetin e Prishtinës është pasojë e shumë faktorëve, ku përveç arsyeve që ka përmendur profesori Pacarizi, Osmani shton se një nga faktorët kryesorë është ofrimi i alternativave të tjera nga Universitetet e tjera, si dhe mundësia për të studiuar jashtë vendit. Ai thekson se Universitetet private gjithashtu po ofrojnë programe të ngjashme, çka e bën më të vështirë për Universitetin e Prishtinës të tërheqë student.

“Rënia e numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës mendoj se ka arsye të shumta por pikë së pari lidhet edhe me rënien e interesimit dhe ofrimit të alternativave që Universitetet e tjera faktikisht janë duke ofruar ‘’, tha Osmani për Front Online.

Një tjetër faktor, sipas Osmanit, është problemi i brendshëm në Universitetin e Prishtinës, përfshirë çështje si nepotizmi dhe rehatimi i militantëve në pozita akademike. Këto çështje, sipas tij, kanë krijuar një klimë të pasigurt dhe të papërshtatshme për studentët, e cila ka ndikuar në perceptimin e publikut dhe ka krijuar një farë irritimi dhe averzioni. Kjo është një arsye tjetër që mund të ketë kontribuar në rënien e numrit të studentëve që regjistrohen në këtë universitet.

“Në këtë kontekst mos ta harrojmë edhe problemet e tjera që janë të evidentuara në universitet siç janë nepotizmi pastaj rehatimi i militantëve nëpër pozita të ndryshme akademike dhe si pasojë kjo ka ndikuar tek opinioni dhe tek publiku të krijohen edhe ato irritimet dhe averzione”, deklaroi Osmani për Front Online.

Megjithatë, Osmani nuk e konsideron situatën si të pashpresë. Ai thekson se Universiteti i Prishtinës, përkundër vështirësive, vazhdon të mbajë një pozicion të rëndësishëm dhe të nderuar si një nga universitetet më prestigjioze të Kosovës.

“Megjithatë nuk mund të themi se gjithçka është keq sepse pavarësisht kësaj ky Universitet mban në një formë apo një primatin si universitet i pranuar dhe prestigjioz”, potencoi Osmani./FrontOnline/

 

Komento: