Osmani: Shumë gra e vajza përballen me dhunë në shtëpi e punë, edhe ato në politikë

14:30 | 08 Mars 2023

Presidentja Vjosa Osmani sot ka dërguar mesazhe për barazi gjinore nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ajo tha se fuqizimi i grave në politikë duhet të fillojë pikërisht nga niveli lokal, në komuna dhe pikërisht në kryeqytet për t’i mbrojtur të drejtat e të gjitha grave.

Osmani tha se femicidi luftohet vetëm nëse të gjithë bashkojmë forcat, derisa trajtimin rasteve të vrasjes së grave e cilësoi si emergjencë kombëtare.

“Më e rënda shumë gra e vajza ende përballen me diskriminim, me ngacmim, e me dhunë si në shtëpi ashtu edhe në angazhimin e tyre profesional, e së fundi edhe në hapësirën digjitale”.

Presidentja Osmani tha se diskriminim e madje edhe dhunë ka edhe ndaj grave në politikë. Për këtë dukuri, Osmani tha se është dekurajuese edhe për të gjitha gratë që duan t’i hyjnë angazhimit në vendimmarrje.

“Diskriminimi në shumë raste është prezent edhe për gratë të angazhuara në politikë e këtë e dini secila prej jush. Këto gra shpeshherë përballen me pabarazi, me dekurajim, mungesë përkrahje nga subjektet politike, me shtypje, ngacmim, kërcënim e nganjëherë edhe me dhunë. Pikërisht kjo ka shtyrë shumë gra që të tërhiqen nga jeta publike e shumë të tjera as që të mendojnë që ta fillojnë këtë rrugë. Por, ky është pikërisht qëllimi i patriarkalistëve, i mizogjenëve e i diskriminuesve, që vendimet rreth kësaj shoqërie, vendimet për qytetarët tonë t’u takojnë vetëm burrave, që mos të ketë gra në tavolinë dhe në veçanti në pozita vendimmarrëse. Që mos të ketë gra që e shfrytëzojnë zërin e tyre për të mirën e kësaj shoqërie, e këtë dëshirë nuk duhet dhe nuk do t’ua plotësojmë, sepse përveçse është thellësisht e padrejtë, pabarazitë e tilla dëmtojnë në palcë shoqërinë tonë, shtetin tonë dhe ua mohojnë një të ardhme të ndritur brezave të tashëm dhe të ardhshëm”.

Komento: