Osmani takohet me kryeministrin belg, e falënderon për mbështetjen për anëtarësim të Kosovës në KE

20:56 | 07 Tetor 2022

Gjatë vizitës në Pragë, në kuadër të samitit inaugurues të Komunitetit Politik Evropian, presidentja Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet aktuale ne kontinentin evropian.

Sipas një njoftimit të Presidencës, të dy bashkëbiseduesit i kanë vlerësuar lartë raportet ndërshtetërore dhe janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre.

“Presidentja Osmani, teksa ka folur për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të vendit për të vazhduar punën në reforma të rëndësishme në të gjitha fushat. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë e përfundimit sa më parë të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Osmani ka falënderuar kryeministrin De Cross për mbështetjen belge për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Në kontekst të integrimit evropian, Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që ta avancojë këtë proces, duke aplikuar për anëtarësim në BE si hap i radhës.

Komento: