Osmani takohet me Kryeministrin grek, tregon çka folën

19:15 | 10 Qershor 2022

Në Greqi po qëndron Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke qëndruar për një vizitë në Greqi, në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP). Pak më parë, ajo ka njoftuar se është pritur në një takim nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, raporton Gazeta Express.

Presidentja Osmani ka thënë se me kryeministrin grek ka biseduar për thellimin e mëtejme bilaterale ndërmjet dy shteteve.

“Kënaqësi të mirëpritem në takim nga Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Diskutuam për thellimin e mëtejmë të raporteve tona bilaterale si dhe për bashkëpunimin mes demokracive në përballjen me situatën e rëndë të shkaktuar nga lufta ilegale e Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar në njoftimin e saj presidentja.

Në njoftimin e Presidencës, thuhet se në takim me nikoqirin e Samitit të SEECP-së, kryeministrin Mitsotakis, Osmani ka vlerësuar ngritjen e vazhdueshme të raporteve në mes të Kosovës dhe Greqisë dhe takimet e shtuara në mes liderëve të dy vendeve tona.

“Ekonomia, tregtia e turizmi janë disa nga fushat më të rëndësishme në fokus të bashkëpunimit kosovaro-grek, për të cilat si krerë shtetëror po punojmë bashkërisht që t’i avancojmë, për t’i përafruar edhe më shumë dy popujt tanë dhe bizneset tona”, ka thënë Presidentja Osmani, duke përmendur gatishmërinë e Kosovës që t’i thellojë tutje marrëdhëniet me Greqinë.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Mitsotakis kanë biseduar edhe për luftën ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, dhe nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara karshi sfidimit të vlerave euro-atlantike. Presidentja Osmani ka nënvizuar nevojën për vëmendje të partnerëve euro-atlantik për rajon, sidomos ndaj veprimeve që kanë për qëllim të destabilizojnë stabilitetin dhe paqen e fituar me mund në rajonin tonë.

Në këtë frymë, thuhet në njoftim, Presidentja Osmani ka përmendur edhe bashkëpunimin në politikën e jashtme si vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, duke theksuar se mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe integrimi euro-atlantik, duhet të shihen edhe nga prizmi i sigurisë, sepse vetëm kështu mund të garantohet avancimi i demokracisë, të drejtave të njeriut, sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë.

Komento: