Osmani takon ambasadorin e Zvicrës, i kërkon përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në KiE

16:19 | 17 October 2022

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly për të diskutuar rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë takim u konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejm.

Presidentja Osmani ka theksuar se Zvicra është një parter strategjik i Kosovës dhe se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë edhe më miqësore, shkaku i prezencës së madhe të mërgatës shqiptare atje.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin zviceran, i cili ka mbështetur Kosovën përgjatë gjithë procesit të përpjekjeve për pavarësinë dhe shtetndërtimin.

Presidentja Osmani ka kërkuar edhe më tej mbështetjen zvicerane ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas Presidentes Osmani, anëtarësimi në këtë organizatë është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe mundësi e madhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Prandaj, përkrahja e fuqishme e Zvicrës në këtë proces është e domosdoshme dhe kontribuese për avancimin e të drejtave të njeriut.

Komento: