Osmani: T’i thuash “jo” anëtarësimit të Kosovës në KE, është si t’i thuash “jo” të drejtave të njeriut

16:23 | 11 Qershor 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore.

Në këtë samit ajo ka folur për rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, rëndësinë e bashkëpunimit bazuar në parimin e barabarësisë dhe gjithëpërfshirës, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e presidentes.

Në fjalimin e saj gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Osmani ka nënvizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave që kanë fuqizuar cilësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

“Përballë agresionit të Putinit kundër Ukrainës, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i hapim dyert çfarëdo ndikimi keqdashës në rajonin tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke nënvizuar se shtetet e rajonit duhet të kenë qëndrim unik në ndalimin e tendencave të Rusisë për destabilizimin e rajonit dhe në miratimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Po ashtu Osmani para krerëve të shteteve pjesëmarrëse ka përsëritur domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike, fetare apo të tjera. T’i thuash jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është t’i thuash jo të drejtave të njeriut për qytetarët tanë”, ka Osmani.

Në këtë kuadër, ajo ka përmendur përjashtimin e padrejtë të Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave.

Po ashtu është bërë e ditur se gjatë Samitit të vendeve të Evropës Juglindore, Presidentja Osmani ka realizuar takime me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor dhe kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenković. Presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë dhe Kroacinë për mbështetjen e dhënë për integrimin euro-atlantik të Kosovës, ndërkaq ka diskutuar për përkrahjen e këtyre shteteve në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Komento: