
Minatorët e Trepçës po kërkojnë me urgjencë shkarkimin e kryeshefi të tyre.
Gani Osmani nga Sindikata e minatorëve të “Trepçës” në një intervistë për Front Online ka thënë se menaxhmenti nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta.
Ai thotë se menaxhmenti e ka bërë ndërmarrjen Trepça si monarki.
“Menaxhmenti nuk fol me neve, ne kemi kërku si sindikatë disa herë me pas takim me ta, mirëpo ai me neve nuk ka kontakte, nuk dëshiron me bashkëpunu, jep dezinformata në Qeveri që në Trepçë punëtorët nuk po punojnë, thotë sa të qet, unë kam me ja dhënë rrogën aq, domethënë e ka bërë Trepçën si me qenë monarki. Shkurt e shqip ai me sindikatë nuk dëshiron me bashkëpunu. Nëse nuk je në anën e tij, e s’i jep lëvdata, ose ia thu të vërtetën se çka ka ndodh keq, ky edhe të përjashton prej pune”, u shpreh ai për Front Online.
Ai thotë që minatorët janë të inatosur pas kërcënimeve që kanë marrë nga kryeshefi.
Për këtë, edhe nuk do të ndalen deri në shkarkimin e tij.
“Më urgjente është shkarkimi i kryeshefit, sepse minatorët më nuk e njohin. Deri sot ka marr vendime, mirëpo tani edhe me disa shantazhe, me kërcënimet që po i bënë, po i nxit edhe më shumë minatorët. Ai punëtorët i ka quajtur sabotera, thotë s’po punojnë, po e bojkotojnë punën, një kërcënim, e tani vetëm sa janë inatos edhe më shumë minatorët”, u shpreh ai.