Presidentja Vjosa Osmani foli në Kuvend për rrugëtimin e shtetit, nd)rsa tja se sjellja jonë politike duhet të dëshmojë zhvillimin dhe pjekurinë e shtetit.
“Në këtë rrugëtim, ajo që dëshmon më së miri zhvillimin dhe pjekurinë e shtetit tonë është momenti kur ne sigurohemi që politikat tona të pasqyrojnë atë që është e drejtë, e jo atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur, e jo atë që tingëllon bukur, atë që është në interes shtetëror afatgjatë, e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh, atë që e ngritë shtetin tonë lart, e jo atë që i ngritë vetëm numrat në sondazhe”, tha ajo në adresimin e saj vjetor para ministrave e deputetëve.
Osmani tha se “vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë, jo vetëm në Kosovë po kudo në botë”.
Ajo e lavdëroi punën e Presidencës. Tha se “asnjëherë në histori të Presidencës së paspavarësisë, Presidenca e Republikës së Kosovës nuk i ka pasur dyert më të hapura sesa në këtë mandat”.
“Faktet flasin vetë”.
Osmani më pas nisi të flasë për marrëdhëniet me aleatët, duke theksuar se “asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim”.
“Andaj rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave dhe partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetin asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim”, tha ajo.
Osmani tha se “forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona”.
“Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikanë apo cilatdo palë zgjedhjesh. Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur. Prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë”, tha presidentja.
Si shembull, ajo tha se duhen parë deklaratat e liderëve të superfuqive botërore.
“Do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk mund të ia dalin të vetë. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar as talljet që bëhet në llogaritë e aleatëve, as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.