Osmani: Vuçiqi do vetëm të shtyjë planin për aneksim në stilin e Krimes

10:24 | 29 Shtator 2024
osmani:-vuciqi-do-vetem-te-shtyje-planin-per-aneksim-ne-stilin-e-krimes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka qenë e ftuar në think tank-un “Council on Foreign Relations” në New York ku ka folur për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

Presidentja Osmani ka deklaruar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, por sipas saj, këtë po e pengon Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq.

“Duke mos i lejuar ata (serbët e Kosovës) që të integrohen në institucionet e Kosovës, ata tentojnë të përdorin të njëjtat instrumente që kanë përdorur në Bosnjë e Hercegovina. Ata tentojnë që të shkatërrojnë Kosovën nga brenda. Dhe sa më shumë që serbët e Kosovës nuk integrohen aq më shumë Serbia do t’i përdorë “argumentet” e Putinit se ne do të mbrojmë komunitetin pakicë. Në fakt, gjithçka që u intereson është territori. Gjithçka që iu intereson është që të shtyjnë përpara planet për aneksim të stilit të Krimesë derisa atyre nuk ia ndien për të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se tensionet në veri të vendit janë të krijuara nga Serbia.

“Vuçiqi është bosi i këtyre bandave kriminale, sepse i financojnë, i mbështesin ata politikisht, i kontrollojnë. Dhe së dyti Vuçiqi është njeriu që politikisht tenton t’i mbajë pengje serbët e Kosovës duke mos i lejuar ata që të integrohen në atë që sot është kushtetuta më e mirë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Evropë”, ka theksuar ajo.

Presidentja e vendit, ka thënë se institucionet e vendit duan që secili të ndihet i barabartë dhe i sigurt dhe të ketë mundësitë që të kenë sukses.

Komento: