OVL e UÇK-së dorëzon në Kuvend kërkesën për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

15:46 | 14 Gusht 2020

Veteranët dorëzojnë në Kuvend kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

OVL e UÇK-së ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Nënkryetari, Nasim Haradinaj ka thënë se kanë kërkuar plotësimin e amendamentit për hetimin e të gjitha krimeve të ndodhura në Kosovë.

Ai ka thënë se pret nga të gjitha partitë shqiptare që kërkesa e tyre të shqyrtohet. Sipas Haradinajt, edhe Lista Serbe në këtë rast duhet të dëshmojë se a është për zbulimin e të gjitha kri’meve të ndodhura në Kosovë, apo jo.

“Ne kërkuam plotësim amendamentin për hetimin e të gjitha krimeve të ndodhura në Kosovë. Ne kemi kërkuar që në procedurë sa më të shpejtë të thirret seanca dhe ftojmë të gjithë përfaqësuesit parlamentar që të tregojnë se a janë për zbulimin e të gjitha krimeve apo janë me të vërtetë vetëm për zbulimin e krimeve selektive si kjo Gjykatë që është raciste dhe e njëanshme”, u shpreh ai para mediave.

Haradinaj po ashtu tha se nuk pret reagim nga ambasadat e huaja në Kosovë.

“Nëse partitë shqiptare vendosin sot për sot e dëshmojnë haptas se këta nuk janë për zbulimin e krimeve. Nëse këta me të vërtetë nuk janë, atëherë ne e kemi edhe atë fjalën tjetër që do ta themi më vonë. Unë nuk besoj që ambasadat kanë me pasë reagim, jo çdo herë duhet të dëgjohet fjala e tyre por ne do të konsultohemi çdo herë. Jo vetëm partitë shqiptare, por edhe Lista Serbe duhet ta tregojë veten se a janë për zbulimin e krimeve apo jo. Ne ju kemi drejtu të gjitha grupeve paralamentare, do të shohim tani prej kuj do të marrim përkrahje. Ne jemi për zbulimin e të gjitha krimeve, nuk jemi për gjykatë të njëanshme selektive”, u shpreh ai.

Komento: