OVL e UÇK-së: U kemi dalë përballë 100 mijë trupave serbe, u dalim edhe 1 mijëve

17:49 | 16 December 2022

Ushtruesi i detyrës të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se nëse dikush mendon t’ia realizojë kërkesën Serbisë për futjen e 1,000 trupave të saj në Kosovë, atëherë ata si OVL do t’u dalin përballë.

Klinaku ka thënë të premten në një konferencë të jashtëzakonshme për media, se në momentin që rrezikohet Policia e Kosovës, ata do t’i dalin asaj në mbrojtje.

“Në momentin që Policia rrezikohet në vendin tonë, ne do të dalim në mbrojtje të Policisë. Nëse dikush mendon t’ia realizojë kërkesn Serbisë për futje të 1,000 trupave në Kosovë, ne u themi atyre se ne u kemi dalë përballë 50 mijë e 100 mijë trupave gjatë luftës në Kosovë, e natyrisht se do t’u dalim sërish përballë dhe do të ballafaqohen edhe ushtarakisht me ne si luftëtarë të UÇK-së. Presim që të mos vijë deri te kjo situatë”, ka thënë Klinaku.

Ai u ka bërë thirrje Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me faktorin ndërkombëtar, derisa ka kërkuar që të bëhet një zgjidhje edhe për shqiptarët e Luginës e jo vetëm për serbët.

“Të qetësohet situata në veri të Kosovës dhe barrikadat atje të hiqen menjëherë. Një zgjidhje politike vetëm për serbët nuk duhet ta bëjnë sepse i kemi problemet e shqiptarëve në Luginë. Zgjidhja vetëm për serbët dhe që e bllokon Kosovën, mund të sjellë sërish konflikte në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Klinaku.

Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten vendimin që t’i kërkojë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ta lejojë dërgimin e një numri të forcave të sigurisë në Kosovë, ka konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se kërkesa do t’i dorëzohet KFOR-it qysh në mëngjesin e së premtes. Vuçiqi ka përsëritur se nuk sheh shanse që KFOR-i ta pranojë këtë kërkesë.

“Vendimi është marrë. Nesër në mëngjes, personalisht do ta dërgojmë te komandanti i KFOR-it kërkesën që një numër i caktuar, në qindra deri në mijëra, i forcave tona të kthehet në Kosovë”, ka thënë pas mbledhjes, Vuçiqi.

Ndërsa, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi se ka pranuar kërkesë nga Serbia lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

“Aktualisht jemi duke e shqyrtuar” këtë kërkesë, u tha në përgjigjen e KFOR-it.

“KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, shtoi ky mision.

Komento: