
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka deklaruar se po i sheh me shqetësim ‘’ raportimet se Dhomat e Specializuara të Kosovës po vlerësojnë pronat e ish-udhëheqësve të UÇK-së’’.
OVL ka thënë edhe se, ky veprim ‘’braktis maturinë gjyqësore dhe krijon përshtypjen e një sistemi që nxiton drejt ndëshkimit para se të arrijë në një vendim’’.
Ndryshe, më herët u raportua nga Klan Kosova se Gjykata Speciale është duke grumbulluar të dhëna mbi pronat dhe pasurinë e tyre e ish-krerëve të UÇK’së.
Reagimi i plotë i OVL-UÇK’së:
OVL UÇK, i sheh me shqetësim të thellë dhe indinjatë të fortë raportimet se Dhomat e Specializuara të Kosovës po vlerësojnë pronat e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Vlerësimi i këtyre pasurive nuk është thjesht një hap procedural.
Përkundrazi, ky veprim braktis maturinë gjyqësore dhe krijon përshtypjen e një sistemi që nxiton drejt ndëshkimit para se të arrijë në një vendim.
Veprime të tilla godasin drejtpërdrejt parimin e prezumimit të pafajësisë, ndërsa gërryejnë besimin e publikut në paanshmërinë dhe drejtësinë e gjykatës.