OVL-UÇK: Ekspozita në shesh fyerje për gjakun e derdhur, financimi i saj nga Kuvendi është skandal

13:05 | 28 Mars 2026
ovl-uck:-ekspozita-ne-shesh-fyerje-per-gjakun-e-derdhur,-financimi-i-saj-nga-kuvendi-eshte-skandal

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar lidhur me ekspozitën në sheshin e Prishtinës për masakrat e ndodhura ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1998-1999.

Kjo organizatë ka deklaruar se ky instalacion shtrembëron të vërtetën e luftës, derisa e ka cilësuar “akt të poshtër moral”.

OVL ka thënë se financimi i ekspozitës nga Kuvendi, ku shfaqen të dhëna të pasakta për masakrat, është skandal.

“Nën maskën e kujtesës, ky instalacion shtrembëron të vërtetën e Luftës Çlirimtare duke fyer gjakun e derdhur për liri. Paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral. Një qasje e tillë është e papranueshme”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.

Sipas OVL-së, përgjegjësia për vendosjen e kësaj ekspozite bie drejtpërdrejt mbi autorët e saj dhe mbështetësit e tyre politikë, derisa ka kërkuar distancim zyrtar dhe llogaridhënie institucionale.

“Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë”, thuhet tutje.

Tabelat me përmbajtjet për masakrat janë larguar nga sheshi të shtunën në mëngjes nga Komuna e Prishtinës. Ekspozita ndër tjerash ishte financuar nga Kuvendi i Republikës.

Sot u largua nga sheshi ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” me arsyetimin se nuk ishin të sakta të dhënat për masakrat e kryera nga Serbia.

Komento: