Ozil është shprehur shumë i zhgënjyer me skuadrën e Arsenalit.
Mesfushori gjerman me origjinë turke, Mesut Ozil, është shprehur i zhgënjyer me reagimin e Arsenalit ndaj komenteve të tij për lajmet se ujgurët myslimanë po persekutohet në Kinë.
Media të shumta botërore kanë raportuar se në Kinë po persekutohen në baza etnike dhe fetare ujgurët myslimanë, të cilët u dërguan në kampe përqendrimi.
Kina ka mohuar se ka bërë ndonjë gjë të ndaluar dhe vendosjen e ujgurëve nëpër kampe e ka arsyetuar me luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit religjioz.
Por, përkundër pretendimeve nga Kina, Ozili kishte reaguar në rrjetet e tij sociale për situatën në vendin aziatik.
“Turkistani lindor, plaga e përgjakur e Ummetit, po i reziston persekutuesve që po tentojnë t’i ndajnë ata nga besimi i tyre. Ata po e djegin Kuranin, i kanë mbyllur xhamitë, ia kanë ndalur vajtjen në shkolla, i kanë vrarë burrat e shenjtë”, kishte shkruar Ozili.
“Burrat janë dërguar në kampe ndërsa familjet e tyre detyrohen të jetojnë me burra kinezë. Gratë detyrohen me dhunë të martohen me burra kinezë. Por, myslimanët rrinë të heshtur. Ata s’do të bëjnë zhurmë. Ata janë braktisur. A s’e dinë se lejimi i persekutimit është vetë persekutim?”
Arsenali, që ka disa marrëveshje biznesi në Kinë, e kishte publikuar një deklaratë për t’u distancuar nga këto komente të Ozilit.
“Sa i përket komenteve të bëra nga Mesut Ozili në rrjete sociale, Arsenali duhet ta bëjë një deklaratë të qartë. Materiali i publikuar është mendimi personal i Ozilit. Si klub futbolli, Arsenali gjithmonë i është përmbajtur principit për të mos e përfshirë veten në politikë”.
Ky reagim e kishte lënë të pakënaqur Ozilin, i cili foli sërish në një intervistë për problemet me të cilat përballen myslimanët.
“Çdo njeri është i barabartë. Nuk ka rëndësi se çfarë feje apo race je, ne me të vërtetë jemi të njëjtë. Ajo që unë e thashë nuk ishte kundër kinezëve, ishte kundër kujtdo që po vepronte në atë mënyrë ndaj ujgurëve myslimanë dhe personave që nuk po u ndihmonin atyre, si vendet e tjera myslimane”, ka thënë Ozil së fundi.
“Unë i kam dhënë shumëçka Arsenalit, brenda dhe jashtë fushës, kështu që reagimi i tyre ishte zhgënjyes. Ata thanë se nuk përfshihen në politikë, por kjo nuk është politikë dhe ata janë përfshirë për probleme të tjera”.
“Në Amerikë, ne e pamë vrasjen e George Floyd dhe bota e ngriti zërin për të thënë “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi” dhe kjo është e saktë. Ne jemi të gjithë të barabartë dhe është një gjë e mirë që njerëzit e luftojnë padrejtësinë”.
“Por, unë do të kisha dashur që njerëzit ta bënin të njëjtën gjë edhe për myslimanët sepse Arsenali ka shumë lojtarë myslimanë dhe është e rëndësishme edhe për botën të thuhet: Jeta e myslimanëve ka rëndësi”.