Lojtarëve dhe trajnerëve nuk do t’iu kërkohet të mbajnë maska në stadium kur Premier League të rifillojë.
Lojtarët do të inkurajohen që mos të pështyjnë dhe mos të pastrojnë hundët e po ashtu që të respektojnë distancën sociale gjatë festimit të golave. Sipas BBC-së nuk do të ketë fëmijë që do të mbledhin topat përreth fushës, kurse do të luhet topa të pastruar mirë.
Aston Villa – Sheffield United do të jetë ndeshja e parë pas rikthimit, më 17 qershor.
Në Gjermani, lojtarëve dhe trajnerëve u është kërkuar të mbajnë maska gjatë tërë kohës, pos atyre që luajnë. Në Premier League lojtarët nuk do të jenë të detyruar të mbajnë maska në dhomat e zhveshjes apo në bankinë. Por arbitri i katërt, mjekët dhe fizioterapeutët do të jenë me maska.
Të enjten Premier League ka njoftuar se do të ketë një minutë heshtje në ndeshjet e para, për të nderuar ata që kanë humbur jetën nga koronavirusi. Do të respektohen edhe punëtorët e sektorit shëndetësor.
Do të ketë kufizim strikt të atyre që lejohen në stadiume. Stadiumet do të ndahen në zona, duke përfshirë edhe objektet e brendshme dhe hapësirën pranë fushës.
Në total vetëm 300 persona do të jenë në secilin stadium. Në zonën e kuqe nuk do të jenë më shumë se 110 persona, duke përfshirë lojtarët, stafin e klubeve dhe zyrtarët e ndeshjeve. Do të bëhet pastrim i thellë i flamujve në kënde, shtyllave, tabelës për zëvendësime dhe topave para dhe pas secilës ndeshje.
Dezinfektim shtesë, për shembull i tabelës së zëvendësimeve pasi ajo të shfrytëzohet, pritet të bëhet gjatë ndeshjeve dhe në pushim midis pjesëlojëve.