Pacolli: Ardhja e Trumpit do t’i jap fund hipokrizisë politike në Ballkan

08:38 | 22 January 2025
pacolli:-ardhja-e-trumpit-do-t’i-jap-fund-hipokrizise-politike-ne-ballkan


Ish-shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, në një prononcim për FrontOnline, ka bërë kritika të ashpra për politikanët ballkanas dhe retorikën, siç ka thënë ai, pseudopatriotike që ata përdorin për të manipuluar qytetarët dhe për të mbajtur pushtetin.

Ai ka theksuar se rikthimi i Donald Trumpit mund të ndihmojë në ekspozimin e gënjeshtrave të politikanëve, duke i detyruar ata të dalin nga “zona e tyre e rehatshme” dhe sipas tij, këta politikanë janë të frikësuar nga humbja e pozicioneve të tyre dhe përdorin nacionalizmin si një mjet për të kontrolluar dhe përçarë shoqërinë.

‘’Në të vërtetë, rikthimi i Trumpit nuk do të jetë aspak i këndshëm për shumë politikanë ballkanas, të cilët prej vitesh kanë bërë politikë mbi retorikën e lodhur pseudopatriotike, duke e kthyer atë në një mjet manipulimi për të mbajtur pushtetin. Këta politikanë, të zhveshur nga çdo formë kreativiteti dhe vizioni, të frikësuar nga humbja e pozicioneve të tyre, fshihen pas tavolinave të luksit, të mbushur me hidhërim e urrejtje, të cilën mezi presin ta derdhin mbi qytetarët. Ata përdorin nacionalizmin si një narrativë të rrezikshme për të përçarë dhe kontrolluar shoqërinë, një lojë e vjetër që ka helmuar të gjithë Ballkanin. Por ardhja e Donald Trumpit mund t’i japë fund kësaj hipokrizie politike’’ thotë Pacolli për FrontOnline.

 

Pacolli shpreh zhgënjimin se qytetarët në Ballkan e kuptojnë këtë lojë të rrezikshme vetëm me vonesë, ndërsa politikanët vazhdojnë të shfrytëzojnë injorancën dhe emocionet e popullsisë për përfitime personale.

‘’Ai do t’i ekspozojë gënjeshtrat e tyre dhe do të detyrojë shumë liderë të dalin nga zona e tyre e rehatshme. Jam thellësisht i zhgënjyer që qytetarët në Ballkan e kuptojnë këtë lojë të ndyrë me vonesë, ndërsa politikanët vazhdojnë të shfrytëzojnë injorancën dhe emocionet e tyre për përfitime personale’’ potencon ai.

 

Komento: