Pacolli e konsideron vetën pronar të Hotel Grandit, ja cakton edhe çmimin

14:14 | 18 Qershor 2019

Behgjet Pacolli është ndër kosovarët me të pasur në botë.

Edhe këtë vit, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli në listën e pasurive që posedon e ka renditur edhe Hotelin Grand, pavarësisht se Gjykatat e vendit nuk e njohin atë si blerës. Sipas Pacollit, vlera e hotelit dikur më me nam në vend sillet rreth 3 milionë euro. Ndërkohë, për hotelin tjetër “Swiss Diamond”, ka thënë se vlen 42 milionë euro, raporton Express.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Pacolli e ka listuar Grandin si pronë të paluajtshme të tij, që sipas tij vlen 3 milionë e 630 mijë euro. Ka thënë se e ka në pronësi të përbashkët.

Por, shumë më shumë se Grandi vlen hoteli tjetër i Pacollit. “Swiss Diamond’, sipas deklarimive të tij kushton më shumë se 42 milionë euro.

I pari i Ministrisë së Punëve të Jashtme ka në pronësi edhe disa toka e lokale afariste, që kushtojnë miliona euro.

Vetëm një tokë që ai e ka në pronësi jashtë vendit kushton më shumë se 7 milionë euro, derisa një nga shtëpitë që ka në pronësi ai kushton mbi 17 milionë euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar se ka avionin e tij privat që kushton rreth 10 milionë euro, dhe tetë veturat e tij që së bashku kushtojnë rreth 1 milionë euro.

Pasuria e zëvendëskryeministrit të Kosovës nuk mbaron këtu. Ai ka aksione në vlerë miliona euro në 20 kompani, në disa prej të cilave ka aksione 100 %.

Pacolli ka edhe miliona euro të kursyera në banka në Prishtinë. Vetëm në një prej këtyre bankave ai ka të kursyera mbi 4 milionë euro. Derisa në dy të tjerat, ai ka të kursyera edhe rreth 600 mijë euro të tjera.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 2 milionë euro. Këto para ai i merr nga Banka Ekonomike, Mabetex Holding dhe si mëditje nga Qeveria e Kosovës.

Komento: