Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga VV, Fitore Pacolli, i ka quajtur spekulime kritikat e opozitë se Qeveria po i keqpërdor ambasadat për përfitime elektorale. Sipas saj, tubimet që po mbahen prej kryeministrit nuk janë tubime të fushatës, por siç thotë, janë tubime të një kryeministri që e takon mërgatën.
“Tubimet janë me kryeministrin e Republikës së Kosovës jo me kryetar të partisë. Nuk janë hapësira të cilat i ka ofruar ambasada, janë hapësira të cilat janë organizuar prej diasporës. Nuk përdorët askush nga ambasadat për të organizuar këto tubime”, tha Pacolli
Deputetja Pacolli i është kundërpërgjigjur edhe një deklarate të Sekretares së Përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka akuzuar pushtetin se po i keqpërdorin ambasadat për çështje elektorale dhe se, sipas saj, ka parë që diplomatët i kanë bartur mikrofonat partisë në pushtet (VV) për tubimet me mërgatën.
“Pse Vlora çka na qenka, qysh ka arrit me i pa. Pse nuk ka dëshmi. Ne e dimë ajo çfarë ka bërë kur ka qenë në pozitën e saj në Amerikë që ka shërbyer. Ajo i ka keqpërdor pozitën e saj, ka lobuar për ndarjen e Kosovës. Pra, kjo është keqpërdorim. Dhe kjo është shumë e ulët me thënë e këna parë një zyrtar të ambasadës duke e bartë mikrofonin. Ka të tjerë që i bartin mikrofonat nuk i bartin zyrtarët e ambasadave”, tha ajo.
Ish-ambasadorja, Vlora Çitaku, ka thënë se ishte dëshmitare se diplomatët i kanë bartë mikrofona partisë në pushtet për tubime elektorate në diasporë.
“Unë vet kam qenë diplomate dhe kam ndjerë dhembshuri kur kam parë diplomat të Republikës së Kosovës duke kryer shërbime teknike, duke bartur mikrofona nëpër tubime elektorale të partisë në pushtet”, ka thënë Çitaku. /rtv21