Behgjet Pacolli ka dhënë një shumë të konsiderushme për familjet e prekura në Shqipëri.
Ministri i jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë se bashkë me familjen e tij ka ndarë 1 milion euro për ndërtimin e zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
“Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti”, shkruan Pacolli në Facebook.
Sipas tij, ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.
“Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllezërit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet. Unë pres po ashtu që në mënyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, përfundon Pacolli.
Sot gjatë ditës kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri thirrje të mos dërgohen më ndihma materiale, por vetëm financiare.