Pacolli në ‘gjumë’, asnjë njohje brenda një vit

08:03 | 11 March 2019

Politika e jashtme e cila udhëhiqet nga ministri Behgjet Pacolli, ka dështuar në aspektin e njohjeve të reja.

Për më shumë se një vit Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj, përderisa Serbia vazhdimisht po njofton për tërheqje të tyre. Opozita dhe analistët politikë thonë se diplomacia kosovare është shumë e dobët dhe e paorganizuar, përderisa në Ministrinë e Jashtme të Kosovës i paralajmërojnë 19 njohje të reja, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ka kaluar një vit prejse Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje ndërkombëtare, përderisa Serbia në anën tjetër po njofton për disa tërheqje të njohjeve të shtetit që e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës ka qenë Barbadosi, i cili lajmin për njohje e ka dhënë më 15 shkurt të vitit 2018, në prag të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së vendit.
Pa i llogaritur edhe çnjohjet nga Serbia, të cilat i kundërshton fuqishëm Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, pavarësinë e vendit deri më tani e kanë njohur 116 shtete të botës.

Derisa diplomacia kosovare është në “gjumë” qe një vit, përfaqësues të opozitës në vend, si dhe analistë politikë vlerësojnë që mungesa e njohjeve dhe çnjohjet që po i paralajmëron Serbia janë pasojë e dështimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilën e udhëheq zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Por në Ministrinë që e drejton Pacolli thonë për “Zërin” se po i presin 19 njohje të reja të pavarësisë së Kosovës.

Komento: