Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, duhet të mbahet përgjegjëse dhe të japë llogari nëse informata për njohjen nga Xhamajka nuk është e vërtetë.
Ajo ka thënë se siç po duket shumë shpejt aksioni për pastrimin e Shërbimit të Jashtëm do të prek edhe ambasadorë.
“Kosovës tani i duhen Ambasadorë kompetent, profesional, të përgjegjshëm e në shërbim për të mirën e shtetit. Nuk kemi nevojë për Ambasadorë që shpërndajnë informata të pavërteta.Nëse vërtetë lajmi për njohje nga Xhamajka është i pavërtetë, Ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari”, ka shkruar ajo në Facebook.
Dje gjatë ditës, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka shkarkuar 14 konsuj për të cilët ka thënë se ish-ministri Behgjet Pacolli, i ka emëruar jashtëligjshëm.