Pacolli: Peci e ka mbështetjen e Kurtit për skandalet me grante, kur Fahrije Hoti po mbante konference, ai publikoi foto me kryeministrin

18:08 | 25 November 2024
pacolli:-peci-e-ka-mbeshtetjen-e-kurtit-per-skandalet-me-grante,-kur-fahrije-hoti-po-mbante-konference,-ai-publikoi-foto-me-kryeministrin

Sekretari i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli tha në Frontal në T7 se ministri i Bujqësisë, Faton Peci e ka mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti edhe pas “shpërthimit të skandaleve”.

Duke komentuar fotografinë e publikuar nga Peci sot, ku ai shihet në një tavolinë me Kurtin, Pacolli kujtoi se ajo u publikua “të njëjtën kohë kur u mbajt konferenca” për media në të cilën Fahrije Hoti nga kooperativa bujqësore “Krusha” – një nga 200 gratë e fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit që humbën bashkëshortët, djemtë ose të gjithë bashkë gjatë luftës në Kosovë – u shpreh e zhgënjyer që Ministria e Bujqësisë refuzoi t’u jepte grant.

“Kjo tregon se e ka mbështetjen e kryeministrit”, tha Pacolli, i cili para pak minutash ka publikuar një tjetër video ku tha se tre familjarë tjerë të pushtetarëve përfituan qindra mijëra euro si grante nga Ministria e Bujqësisë. Ishte ai që njoftoi edhe për grantet që Ministria ua dha vëllait e dajës së deputetes së LVV-së, Fitore Pacollit.

“Për ne kjo tregon se kryeministri Kurti e mbështet Faton Pecin edhe pas shpërthimit të këtyre skandaleve”, tha Egzon Pacolli.

Pacolli tha se presin të përballen me ministrin në rrugë ligjore, pasi ai ka ushtruar një padi ndaj aktivistëve të LDK-së.

Forumi i Rinisë së LDK-së, paraprakisht ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori për çështjen e shpërndarjes së granteve nga Ministria e Bujqësisë.

Komento: