
Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish lidhur me çështjen e Aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar “gënjeshtër të turpshme” narrativën e lidhur me “Delfosin”.
“Narrativa e mbështetur nga ‘njerëz të fortë’ rreth Delfosit është një gënjeshtër e turpshme që ka krijuar huti në opinion dhe ka shërbyer si instrument për gjyqtarë të caktuar që lëshuan vendime gjyqësore të kundërligjshme.
Këto veprime të jashtëligjshme, përveç dëmit të pariparueshëm që i kanë shkaktuar MABCO-s, komunitetit dhe shtetit, kanë tentuar gjithashtu të cenojnë rendin kushtetues dhe juridik të vendit. Organet përgjegjëse për luftimin e krimit duhet t’i hetojnë dhe t’i ndëshkojnë këto fenomene në përputhje me ligjin, për të mbrojtur shtetin e së drejtës dhe institucionet e tij.”
Pacolli ka vijuar më tej duke komentuar zhvillimet publike dhe debatet rreth rastit, duke theksuar se sipas tij për muaj me radhë janë qarkulluar të njëjtat spekulime dhe akuza, të cilat tani po paraqiten si shqetësime institucionale.
“Ka diçka që më bën gjithmonë përshtypje në jetën publike shqiptare. Kaq shpesh, nuk është aq interesante ajo që thuhet, sa momenti kur vendoset të thuhet.
Për muaj me radhë dëgjuam të njëjtat spekulime, akuza, të njëjtat pretendime, të njëjtat teori… Delfos, Delfos, Delfos…”, ka shkruar ai.
Sipas Pacollit, faktet ose janë të vërteta që në fillim, ose nuk janë fare, duke shtuar se ato nuk mund të ndryshojnë varësisht nga momenti kur artikulohen.
Ai thekson se çështjet e tilla mbeten objekt i proceseve gjyqësore dhe se gjykatat janë vendi ku faktet provohen dhe marrin vlerë juridike.
“Kur debatet juridike fillojnë të shndërrohen në ‘alarme publike’, njeriu nuk mund të mos pyesë veten nëse shqetësimi i vërtetë është ajo që mund të ndodhë nesër apo ajo që dikush dëshiron të arrijë pasnesër”, ka shkruar Pacolli.
Në fund, ai ka shtuar se koha, sipas tij, zakonisht jep përgjigjet që politika përpiqet t’i fshehë.