Pacolli tregon se a po flitet për kufijtë në Bruksel

19:18 | 12 April 2019

Pacolli thotë se në Bruksel nuk bisedohet për territore e popuj, por normalizim të marrëdhënieve.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për gjetjen e zgjidhjes në mes të dy shteteve dhe dy popujve.

Sipas tij në kjo do të duhet të bëhet në mënyrë që të ecet në rrugën drejt integrimit evropian, transmeton Klan Kosova.

“Dialogu në Bruksel nuk zhvillohet për territore e popuj por për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe hapjes së rrugës së integrimeve Euro-Atlantike”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“E kam vlerësuar në drekën e përbashkët të punës me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ministrave të Gjermanisë e Polonisë si bashkorganizatore të takimit në Varshavë në kuadër të Procesit të Berlinit se bashkëpunimi rajonal është thelbi i ecjes përpara dhe ky bashkëpunim duhet të mbështetet në marrëveshje, dialog dhe në zgjidhje paqësore”.

“Procesi i Berlinit është një nismë e rëndësishme që po ndihmon gjithë rajonin në vendosjen e lidhjeve infrastrukturore, zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha lehtësimin e marrëdhënieve tona në Ballkan e përmirësimin e tyre”.

Kryediplomati kosovar ka thënë se Kosova është pjesë e pandashme e këtij procesi.

“Ne po ecim me hapa të sigurt drejt një të ardhmeje paqësore. Keqpërdorimi që po bënë Serbia duke manipuluar me procesin e dialogut po dëmton perspektiven evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

Komento: