Paga minimale të rritet urgjentisht në 250 euro

15:56 | 15 April 2019

Partia Socialdemokrate po kërkon që paga minimale të rritet urgjentisht.

Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri. gjatë një konference për media, kërkoi sot që paga minimale në Kosovë të rritet nga 170 euro në 250 euro, pra të kalohet nga paga për të mbetur gjallë, te paga për të jetuar më mirë.

Një punëtore, nënë e dy fëmijëve, burrin të papunë, me pagë minimale prej 170 euro në muaj, i bie t’i ketë jo më shumë se 1 euro e 40 centë në ditë për anëtar të familjes, ka rikujtuar Ymeri.

Me këto 1.4 euro në ditë, një familje të tillë i bie që të vendosë: një muaj të ushqehen e ta lënë anash veshmbathjen; muajin tjetër t’i paguajnë disa prej faturave për rrymë, ujë, etj, dhe ta lënë anash veshmbathjen e ta reduktojmë ushqimin; një muaj tjetër pastaj të shpenzojë në barna, dhe t’i lë anash të gjitha të tjerat, shtoi në vazhdim deputeti i PSD-së.

Një vështirësi e tillë ekzistenciale është përditshmëri për shumë familje me nga një të punësuar në Republikën e Kosovës. Këta, përveç se të varfër janë të harruar nga institucionet.

Kanë kaluar saktësisht 70 ditë nga 4 shkurti i këtij viti, kur është dorëzuar kërkesa për interpelancë nga Partia Socialdemokrate për diskutimin e pagës minimale në Kosovë dhe në Kuvend kësaj çështje ende nuk i ka ardhur radha.

“Kanë kaluar saktësisht 9 vjet e 105 ditë prej kur institucionet e Kosovës janë marrë me çështjen e pagës minimale dhe kështu kanë harruar të kujdesen për vështirësitë ekzistenciale dhe përditshmërinë e punëtorëve në Kosovë”, tha Visar Ymeri, deputet dhe nënkryetar i PSD-së, përcjell Koha.

“Të jesh i rrezikuar nga varfëria do të thotë të mos kesh ushqim të mjaftueshëm; do të thotë të jesh i uritur ose të ushqehesh me ushqim që nuk mban kaloritë e nevojshme dhe nuk i shëndetshëm, të jesh i rrezikuar do të thotë të mos mbërrish fundin e muajit pa e hapur fletoren e huasë tek dyqani i lagjes”, shtoi më tutje z. Ymeri.

Ai po ashtu prezantoi propozime konkrete sesi mund të përditësohet dhe funksionalizohet paga minimale, si në vijim:

• Duhet të ndërmerret masë urgjente që paga minimale të rritet në shumën prej 250 eurosh;

. Kjo rritje duhet të përfshijë të gjithë të punësuarit pa dallim moshe dhe gjinie;

“Ne duhet të kalojmë nga koncepti i pagës minimale tek ai i pagës për të jetuar. Pra nga paga për të mbetur gjallë, te paga për të jetuar më mirë”, shtoi në fund z. Visar Ymeri.

Komento: