I gjithë arsimi në Kosovë është në grevë që nga dita e hënë.
Por, mbetët pikëpyetje se sa janë të drejta kërkesat e tyre për rritje të pagave, kur dihet se pagat e tyre janë përafërsisht sa ato të rajonit.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës nga dita e hënë ka hyrë në grevë të përgjithshme shkaku i mosplotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave.
Kërkesë e vetme e kësaj sindikate është rritja e koeficientit të pagave prej 30 për qind për 22 mijë e 569 mësimdhënësve të arsimit parauniversitar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, paga bazë për mësuesit që japin mësim në shkolla fillore është 421.20 euro, ndërsa në shkollë të mesme kjo pagë është 459.95 euro.
“Paga bazë e një mësuesi të shkollës fillore është 421.20 euro, ndërsa paga e një arsimtari në shkollë të mesme është 459.95 euro. Për mësuesit parafillor kjo pagë është 393.22 euro”, thuhet në përgjigjet e dërguara nga Ministria e Arsimit.
Paga e një mësimdhënësi në Shqipëri është 477.85 euro.
Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) në raportin për tregun e punës dhe arsimit tregon se një mësimdhënës paguhet 59,921 lekë, apo 477.85 euro.
“Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në arsim gjatë vitit 2017 ishte 59,921 lekë [477.85 euro]. Për një mësimdhënës paga ishte 64,869 lekë [517.31], ndërsa për një mësimdhënëse ishte 55,968 lekë [446.33 euro]”, thuhet më raportin e INSTAT.
Një mësimdhënës në Maqedoni Veriore paguhet 365.74 euro.
“Për një mësimdhënës paga në vitin 2018 ishte 22,488 denarë [365.74 euro]”, thuhet në raportin “Maqedonia në numra, 2018”, prezantuar nga Enti i Statistikave të Maqedonisë Veriore.
Forumi Ekonomik Botëror ka bërë renditjen e dhjetë vendeve që paguajnë më shumë mësuesit në bazë të të dhënave të publikuara nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik.
Nga kjo renditje, Luksemburgu është një nga vendet ku mësuesit kanë paga më të larta.
Paga vjetore për mësuesit në Luksemburg është 79 mijë dollarë, ndërsa për ata me përvojë shkon deri në 137 mijë dollarë, ndjekur nga Zvicra ku paga vjetore e mësuesve në këtë vend është 69,865 dollarë dhe në vend të tretë është Gjermania, ku një mësues paguhet me një pagë vjetore prej 61,589 dollarësh.
Në vend të katërt është Norvegjia, ndjekur nga Danimarka, SHBA-ja, Spanja, Australia, Holanda dhe Kanadaja që përfundon në vendin e dhjetë.
69,865 dollarë, duke qenë në vendin e dytë në botë, derisa në vendin e parë është Luksemburgu, ku paga vjetore e një mësuesi është 79 mijë dollarë. Për ata me përvojë shkon deri në 137 mijë dollarë. Në podium përfundon edhe Gjermania, duke u pasuar nga Norvegjia, Danimarka, SHBA, Spanja, Australia, Holanda dhe Kanada.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2017 paga mesatare bruto në Kosovë, përfshirë këtu pagat në sektorin publik, privat dhe publiko-privat ishte 528 euro.
“Në vitin 2012 paga mesatare bruto në Kosovë ishin 431 euro, derisa në vitin 2017 ishte 528 euro, një rritje prej 97 eurosh ose 22.5 për qind. Derisa, paga neto nga 384 euro sa ishte në vitin 2012, është rritur në 471 euro në vitin 2017 me 87 euro më shumë ose 22.7 për qind”, thuhet në të dhënat e ASK-së, shkruan Telegrafi.
Në buxhetin e vitit 2019, shpenzimet në arsim do të jenë rreth 292.4 milionë euro që shënon një rritje prej 10 për qind për këtë sektor.
“Në vitin 2019 prioritet në buxhet nga MASHT pritet të ketë ndërtimi i objekteve shkollore ku do të ndërtohen 38 të tilla dhe një numër i konsiderueshëm i sallave sportive. Programet që trajtojnë këto çështje, sikurse ajo për trajnimin e mësimdhënësve kanë një rritje buxhetore prej 50 mijë euro apo 13 për qind. Edhe buxheti për programi për zhvillimin e planprogrameve në arsim parauniversitar ka shënuar një rritje prej 57 mijë euro apo 40 për qind”, thuhet në Projektbuxhetin e vitit 2019, shkruan Telegrafi.
Me Projektbuxhetin e vitit 2019 shpenzimet në arsim në Kosovë do të jenë rreth 4.1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian, në mesatare, shpenzojnë 4.7 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.